Shtyp

Delegacioni i shkollës së mesme ortodokse “Bogoslovija” vizitoi Fakultetin e Studimeve Islame

Me datë 08.05.2018 Ati Andrej dhe Ati Djordje, profesorë në shkollën ortodokse serbe, së bashku me 13 nxënës të kësaj shkolle vizituan Fakultetin e Studimeve Islame.

Vizita u organizua nga zyra e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, më konkretisht prej këshilltarit politik për Çështje të Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare pranë kësaj zyre, z. Rick Spruyt.

Delegacioni i shkollës “Bogoslovija” u pritën nga dekani i FSI-së, prof. dr. Fahrush Rexhepi me bashkëpunëtorë dhe studentë të këtij fakulteti.

Pasi iu uroi mirëseardhje, dekani i FSI-së, i njohu mysafirët me funksionimin e fakultetit, kuadrin mësimdhënës, lëndët mësimore, numrin e studentëve, si dhe për bashkëpunimin me universitetet ndërkombëtare dhe për mundësitë dhe sfidat që përballen studentët e FSI-së pas përfundimit të studimeve.

Nga ana e tij, Ati Andrej, falënderoi dekanin dhe organizatorët për këtë takim, duke theksuar se ndihen mirë që është bërë ky takim gjeneratash, në mënyrë që këta të njihen mes vete. Ndër të tjerash ai po ashtu potencoi se është mjaft e rëndësishme që në këtë kohë të globalizmit, komunikimet ndërfetare të jenë sa më të shpeshta. Në fund theksoi se ndihen shumë të kënaqur me mikpritjen paqësore dhe shpresojmë që vizitat e tilla të jenë më të shpeshta.

Pas tij, fjalën e mori edhe përfaqësuesi i BE-së, z. Rick Spruyt, i cili shprehu kënaqësinë për vizitën e organizuar dhe për mikpritjen që iu bë, duke falënderuar dekanin e FSI-së me bashkëpunëtorë, e më pas shprehu rëndësinë që ka kjo vizitë dhe bashkëpunimi ndërmjet dy komuniteteve fetare dhe etnike.

Gjatë kësaj vizite, nxënësit e shkollës “Bogoslovija” dhe studentët e FSI-së, patën rastin që të shkëmbejnë pyetje mes vete rreth funksionimit të këtyre institucioneve, si dhe për çështjet tjera që kanë të bëjnë me përgatitjen e kuadrit dhe avancimit të tyre të mëtutjeshëm.

Nxënësit në fund patën mundësi që ta vizitojnë edhe objektin e fakultetit, kështu që prezantuan edhe në një prej ligjëratave. Dekanati i FSI-së për mysafirët kishte përgatitur një drekë, e pas kësaj vazhduan me agjendën, e cila në plan kishte vizitën e Xhamisë së Madhe dhe Kishës Ortodokse në Prishtinë.

Zyra për informim, FSI