Shtyp

Mbahet konferencë shkencore

Prishtinë, 27.11.2019

Mbahet konferenca shkencore me titull:

“Jeta e Pejgamberit a.s. prej lindje e deri në shpalljen hyjnore”

Sot, më datë 27.11.2019, në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, u mbajt konferenca shkencore “Jeta e Pejgamberit a.s. prej lindje e deri në shpalljen hyjnore” të organizuar nga Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës.

Fjalën e hapjes së konferencës e mbajti dekani i FSI-së, prof. asoc. dr. Fahrush Rexhepi, i cili në fillim përshëndeti të pranishmit dhe referuesit e kësaj konference. Në vazhdim dekani Rexhepi në fjalën e tij tha: “Jemi tubuar sot në Fakultetin e Studimeve Islame, në këtë tempull të dijes dhe të shkencës për të shënuar muajin e mevludit, përmes organizimit të kësaj konference shkencore me titull: “Jeta e Pejgamberit a.s. prej lindje e deri në shpalljen hyjnore”. Dekani Rexhepi në vazhdim të fjalës së tij theksoi edhe arsye e organizimit të konferencës për këtë periudhë kohore të jetës së Muhamedit a.s., duke thënë: “E kemi zgjedhur këtë pjesë të historisë së Pejgamberit a.s. për ta hulumtuar në këtë konferencë shkencore sepse “Sirja” e Resulullahit apo jetëshkrimi i tij është interpretim i vërtetë i shpalljes së Kuranit dhe i porosisë, të cilën Pejgamberi a.s. ia komunikoi mbarë njerëzimit”. Lidhur me këtë dekani Rexhepi në vazhdim tha: “Nuk është e mundur që në tërësi të përfytyrohet fuqia madhështore e shpalljes së Allahut xh.sh., pa e krahasuar paraprakisht gjendjen e cila i ka paraprirë shpalljes me gjendjen e cila ka rezultuar me ndikimin dhe fuqinë e saj. Ndaj nga ky aspekt kjo konferencë dhe tezat e saja do të sjellin të dhëna shkencore mbi popujt dhe fiset arabe para shpalljes, mbi ndodhitë historike para shpalljes, si dhe informacione mbi gjendjen dhe rrethanat historike të periudhës në të cilën lind, është rritur dhe është edukuar Pejgamberi a.s.”.

Prezent në hapjen e punimeve të konferencës ishte edhe myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava i cili në fjalën e tij përshëndetëse me rastin e hapjes së punimeve të konferencës, ndër të tjera tha: “Është e thënë e vërtetuar se gjatë historisë së njerëzimit nuk ka një të dytë, të cilit t’i jetë kushtuar kaq rëndësi qoftë lindje, jetës, veprës dhe qoftë edhe thënieve të tij, sa Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s.”. Ndërsa kur myftiu Tërnava foli për rëndësinë e hulumtimit dhe shkrimit rreth jetës së Pejgamberit a.s. ai, ndër të tjera, tha: “Për Pejgamberin, Muhamedin a.s. do të flitet e do të shkruhet deri sa të ekzistojë lapsi dhe boja, sepse jeta e Pejgamberit a.s., më të vërtetë, është vetë misioni i tij e misioni i tij është Shpallja nga Allahu xh.sh.”. Sa i përket rëndësisë së organizimit të kësaj konference nga ana e FSI-së, myftiu Tërnava tha: “Nga kjo konferencë presim që të njihemi me këndvështrime dhe të përfitojmë njohuri të reja, por, edhe sikur vetëm t’i përsëritnim të dhënat për jetën e Pejgamberit a.s., do të mjaftonin për të konstatuar se kjo është një punë dhe e arritur e mirë, sepse të rikujtuarit e gjërave, sipas urdhrit kuranor, është një punë që u bën shumë hair dhe u sjell dobi besimtarëve”.

Prezent me rastin e hapjes së punimeve të konferencës ishte edhe këshilltari i Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, dr. Shkodran Imeraj, i cili në fjalën e tij përshëndetëse uroi dekanatin e FSI-së për organizimin e kësaj konference, duke uruar suksese dhe të arritura evidente gjatë punimeve të kësaj konference.

Në këtë konferencë, me punimet e tyre, ishin paraqitur 21 referues, nga Kosova, Shqipëria, Maqedoni dhe Novi Pazari. Konferenca punimet i zhvilloi në katër seanca të ndara. Çdo seancë përbëhej nga pesë referues, në kuadër të seancës ishte edhe kryesuesi i seancës.

Seanca e parë i filloi punimet me fillim në ora 10.20 për t’i përfunduar në ora 11.15. Pjesë e kësaj seance ishin referuesit:

1.     Prof.. asoc. dr. Muhamed Ali, profesor në Universitetin “Nënë Tereza” Shkup, me temën: “Rrethanat politiko-shoqërore tek arabët para shpalljes

2.     MA Ledian Cikalleshi, myfti i zonës së Korçës, Republika e Shqipërisë, me temën: “Pozita gjeografike dhe rrethanat shoqërore-politike tek arabët para shpalljes”.

3.     Dr. Ardina Muhaj, drejtor i Institutit të Mendimit dhe Qytetërimit Islam në Tiranë, me temën: “Një vështrim mbi historinë e Mesdheut në shekullin e parë të Islamit”.

4.     Dr. Hajrudin Balic, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame në Novi Pazar, me temën: “Rëndësia e përzgjedhjes së Gadishullit arabik për zbritjen e shpalljes së fundit”.

5.     Prof.. ass. dr. Lulzim Esati, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, me temën: “Personaliteti i Pejgamberit a.s. në librat e shenjtë -Hebreje dhe Krishtere”.

Seanca e dytë i filloi punimet me fillim në ora 11.30 për t’i përfunduar në ora 12.30. referues në këtë seancë ishin:

1.     Prof.. asoc. dr. Fahrush Rexhepi, dekan i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, me temën: “Paralajmërimi i ardhjes së Pejgamberit a.s. në librat e shenjtë”.

2.     Enisa Bekteshi, përfaqësuese e studentëve të FSI-së, me temën: “Fetë dhe besimet tek arabët para Islamit”.

3.     Dr. Xhemal Es Seferti, lektor në Universitetin “Beder” në Tiranë, me temën: “Jeta e Pejgamberit a.s. para shpalljes”.

4.     MA Aorel Senja, lektor në Universitetin “Beder” në Tiranë, me temën: “Muhamedi a.s., fëmijëria, rritja, edukimi dhe pjesëmarrja e tij në aktivitetet shoqërore”.

5.     Dr. Ajni Sinani, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, me temën: “Pejgamberi a.s. nën mbikëqyrjen hyjnore që nga lindja”.

Pas përfundimit të seancës së dytë, në bazë të programit të konferencës ishte parapa një periudhë prej dhjetë minuta për diskutime. Gjatë kësaj periudhe ishin disa pyetje të cilat ju parashtruan penalistëve në lidhje me kumtesat e tyre.

Seanca e tretë i filloi punimet me fillim në ora 13.15 për t’i përfunduar në ora 14.15. referues në këtë seancë ishin:

1.     Prof. ass. dr. Musa Vila, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, me temën: “Virtytet dhe karakteri i Muhamedit a.s. para shpalljes”.

2.     Prof. Xhemal Balla, Instituti i Mendimit dhe Qytetërimit Islame në Tiranë, me temën: “Profeti Muhamed simbolizonte vlerat e larta për zhvillimin e shoqërisë njerëzore”.

3.     Prof. asoc. dr. Musa Musai, profesor në Universitetin e Tetovës, Tetovë, me temën: “Muhamedi a.s. paratrajtë qiellore e virtytësisë njerëzore; shekujt të përmalluar për të”.

4.     Prof. asoc. dr. Sulejman Osmani, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, me temën: “Familja e Pejgamberit a.s. dhe pozita e saj në shoqëri

5.     Dr. Violeta Smajlaj, Departamenti i Gruas, Gjakovë, me temën: “Jeta bashkëshortore e Pejgamberit a.s.”.

Seanca e katërt i filloi punimet me fillim në ora 14.30 për t’i përfunduar në ora 15.30. referues në këtë seancë ishin:

1.     Dr. Ilmije Kuqi, profesoreshë në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, me temën: “Rëndësia e njohjes së jetës së Pejgamberit a.s.

2.     Mr. Samir Ahmeti, profesor në Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë, me temën: “Burimet relevante rreth historiografisë pejgamberike të Muhamedit a.s.”.

3.     Prof. Sabri Bajgora, kryeimam në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, me temën: “Përshkrimi i lindjes së Muhamedit a.s. në mevludet e gjuhës shqipe”.

4.     Prof. dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik në Prishtinë, me temën: “Lindja e Muhamedit a.s. te mevlud shkruesit shqiptar”.

5.     Prof. asoc. dr. Isa Memishi, profesor në Fakultetin e Orientalistikës pranë UP-së në Prishtinë, me temën: “Personaliteti i Pejgamberit a.s. nga prizma e orientalistikëve evropian”.

Pas përfundimit të seancës së katërt, bazuar edhe në programin e konferencës, ishte paraparë një periudhë kohore për diskutime, ku të pranishmit parashtruan disa pyetje dhe dhanë sugjerime lidhur me konferencën dhe tematikat të cilat u shtjelluan në te.

Me përfundimin e punimeve të konferencës, dekani i FSI-së, prof. asoc. dr. Fahrush Rexhepi, mbajti fjalën përmbyllëse ku falënderoi referuesit për kontributin e tyre shkencor të dhënë në këtë konferencë. Dekani Rexhepi në veçanti falënderoi pjesëmarrësit nga Shqipëria.

Dekani në vazhdim theksoi se ne, si FSI, jemi të privilegjuar që kemi arritur të tubojmë një numër të madh të studiuesve nga trojet shqiptare, gjë e cila ne jep motiv që edhe më tutje të vazhdojmë me aktivitete të tilla.

Në vazhdim dekani i informoi referuesit se punimet e tyre do të botohen nga Fakulteti i Studimeve Islame, duke kërkuar prej tyre që në afat optimal t’i dërgojnë punimet e tyre të rregulluara për botim.

Krejt në fund referuesit u pajisen me nga një certifikatë në shenj mirënjohje për kontributin e tyre shkencor në këtë konferencë.