Shtyp

Fakulteti i Studimeve Islame bën përurimin e dy vëllimeve të Epitafeve me mbishkrime në gjuhën osmane

Prishtinë, 24.01.2020

Në kuadër të aktiviteteve hulumtuese dhe shkencore të Fakultetit të Studimeve Islame, më datë 23.01.2020, janë përuruar dy vëllime të botimeve të projekteve hulumtuese me titull:
Epitafet në gjuhën osmane – Deshifrimi dhe përkthimi i tyre, Regjioni i Prishtinës
Epitafet në gjuhën osmane – Deshifrimi dhe përkthimi i tyre, Regjioni i Mitrovicës

Në këtë promovim, përveç stafit të FSI-së, morën pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef.Tërnava me bashkëpunëtorë, përfaqësues nga ambasada e Turqisë, Diyanetit, institutit Yunus Emre, përfaqësues nga Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik, profesorë, studiues, intelektualë, dashamirë të librit e të kulturës, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Fakulteti i Studime Islame, punën kërkimore dhe shkencore e realizon në harmoni me misionin dhe vizionin që ka për zhvillim të shkencës së Teologjisë në vend duke kontribuar gjithmonë në disa fusha dhe tema specifike.
Në cilësinë e nikoqirit, të pranishmëve ju drejtua dekani i FSI-së, prof. asoc. dr. Fahrush Rexhepi, i cili fillimisht përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar ata për kohën që kanë ndarë dhe janë bashkangjitur në këtë eveniment. Dekani më tutje tha: “Botimi i dy vëllimeve të epitafeve që po i  përurojmë sot i shtohen vargut të disa aktiviteteve tjera kërkimore shkencore si dhe 12 titujve tjerë që i ka botuar Fakulteti i Studimeve Islame gjatë 3 viteve të fundit. Mirëpo, botimi i vëllimeve të epitafeve të regjionit të Prishtinës dhe Mitrovicës janë të një rëndësie të veçantë jo vetëm për faktin se janë shkrime komplekse dhe delikate por, për faktin se epitafet (mbishkrimet në gurët e varreve), janë dëshmi mbi praninë e kulturës, civilizimit, fesë, traditës, artit dhe arkitekturës së një populli. Tekstet e shkruara në këta gurë japin njohuri për të kaluarën dhe historinë e popullit tonë duke shërbyer si ura lidhëse mes të kaluarës dhe të sotmes. Pra epitafet konsiderohen si rojtarët e një qytetërimi të heshtur”. Ndërsa në fund të fjalimit dekani Rexhepi tha: “Për realizimin e këtij projekti të epitafeve shpreh falënderimet e sinqerta për përkthyesit Agron Islami dhe Selim Selimi për punën profesionale dhe përkushtimin e tyre, sikur edhe recensentin e vëllimit të parë, përkatësisht ekspertin e shkrimeve osmane nga arkivi Osman në Stamboll Dr. Mustafa Kyçyk. Falenderojmë edhe recensentët e vëllimit të dytë Dr. Ermal Nurja nga Tirana dhe Besir Neziri.  Falënderojmë Prof. dr. Jusuf Osman i cili ka përgatitur nga një historik të shkurtër për secilin vendbanim ku janë identifikuar epitafet. Për mbështetje financiare falënderojmë institutin Yunus Emre dhe Dijanetin e Turqisë”.
Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës , Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili foli për vlerën e këtyre veprave. Ai më tej vazhdoi duke thënë se “Veprat që po promovojmë sot paraqesin një rëndësi të veçantë për njohjen e së kaluarës sonë, sepse përmes gurëve të varrezave myslimane që mbajnë epigrafet në gjuhën osmane arrijmë të gjejmë të dhënat të rëndësishme burimore për të parët tanë që jetuan e vepruan gjatë periudhës së administrimit osman të viseve tona, kur siç dihej gjuhë zyrtare ishte gjuha osmane”-tha Myftiu Tërnava.
Për veprat referuan prof. dr. Ertugrul Karakus nga Universiteti “Kurklareli i Turqisë, dhe dr. Ermal Nurja nga Tirana si dhe përkthyesi, PHD Agron Islami.
Në këto dy vëllime janë trajtuar mbi 200 gurë varresh me mbishkrim osman, ku së bashku me fotografinë origjinale i është dhënë transkriptimin dhe përkthimin e teksteve mbi varrezore (epitafeve) të cilat në vete përmbajnë të dhëna me interes për historinë, gjuhën dhe kulturën shpirtërore të të parëve tanë.
Promovimi i këtyre dy vëllimeve u vlerësua shumë duke e konsideruar si një pasuri e historisë dhe dëshmisë sonë për brezat e ardhshme që do ta shfrytëzojnë atë dhe do ta ruajnë në kujtesën historike për të kaluarën tonë.