Shtyp

Ceremonia e shperndarjes se diplomave

28.12.2020, Prishtine

 

Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë sot organizoi ceremoninë e shpërndarjes së diplomave për studentët e programit bachelor dhe master

 

Në prani të shumë studentëve të FSI-së, të stafit mësimdhënës dhe të udhëheqjes së fakultetit, sot u mbajt ceremonia e shpërndarjes së diplomave për 36 student të diplomuar në nivelin bachelor dhe 12 student në programin master. Në këtë tubim ceremonial të organizuar përmes platformës online mbajti një fjalë rasti dekani i FSI-së, prof. asoc. Dr. Fahrush Rexhepi, i cili pasi përshëndeti dhe uroi studentët për suksesin e arritur, ndër të tjera tha: Sot është një ditë e lumtur dhe gëzimi për gjithë studentët e FSI-së, për stafin mësimdhënës, e veçmas për studentët të cilët sot po pajisen me diplomat e fituara në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.

Dekani Rexhepi, duke folur për vlerën e diturisë dhe të dijetarëve, citoi ajetin kuranor në të cilin All-llahu xh.sh ka thënë: “ Vërtetë ata që i frikësohen më shumë All-llahut nga robërit e Tij, janë dijetarët”. Ndërsa në lidhje me vlerën e predikuesve islam dhe të ulemasë, Pejgamberi a.s në një hadith thotë: “ Të dashurit e All-llahut janë ata, të cilët, kur i shikon, të përkujtojnë All-llahun”. Më pastaj dekani i FSI-së, prof. asoc. Dr. Fahrush Rexhepi tha se All-llahu i Lartëmadhëruar i ka lartësuar studiuesit dhe ulemanë e fesë me dije dhe i ka zbukuruar me të. Dijetarët nëse i shikon, të përkujtojnë All-llahun dhe nëse i dëgjon, gjithashtu të përkujtojnë All-llahun sepse ata gjithherë janë shembull, si me pamje e sjellje ashtu edhe me vepra e këshilla të mira. Me anë të njerëzve të ditur dhe të arsimuar mësohet hallalli dhe harami, dallohet e vërteta nga e kota si dhe e mira nga e keqja. Mëtej dekani Rexhepi kërkoi nga studentët e sapo diplomuar që të kontribojnë maksimalisht në promovimin e vlerave paqësore dhe pozitive të islamit për të cilat ka aq shumë nevojë shoqëria jonë, veçmas për ato fetare, shpirtërore, morale, tolerante e humane. Dekani Rexhepi në këtë tubim kërkoi nga të diplomuarit që, kudo që ata do të punojnë apo angazhohen në të ardhmen, t’i përfaqësojnë denjësishtë parimet islame dhe t’i mbrojnë ato duke i respektuar edhe mësimet që i kanë marrë nga profesorët e tyre dhe duke i respektuar edhe ligjet dhe rregulloret e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe shkollën juridike hanefite.

Në fund të fjalës së tij dekani i FSI-së, Fahrush Rexhepi, falenderoi edhe Bashkësinë Islame të Kosovës për ndihmën dhe mbështetjen në vazhdimësi që po i jep FSI-së dhe njëherit dekani u premtoi studentëve të diplomuar mbështetje dhe bashkëpunim edhe në të ardhmën.

Në fund të ceremonisë prodekani dhe sekretari i Fakultetit bënë prezentimin e emrave të kandidatëve të diplomuar.